Nënë Tereza, ikonë shqiptare e dashurisë së Zotit, në 110-vjetorin e lindjes
15486
post-template-default,single,single-post,postid-15486,single-format-standard,bridge-core-3.1.1,qi-blocks-1.2.4,qodef-gutenberg--no-touch,qode-page-transition-enabled,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-theme-ver-30.0.1,qode-theme-bridge,wpb-js-composer js-comp-ver-7.1,vc_responsive
 

Nënë Tereza, ikonë shqiptare e dashurisë së Zotit, në 110-vjetorin e lindjes

Nënë Tereza, ikonë shqiptare e dashurisë së Zotit, në 110-vjetorin e lindjes

Për Nënë Terezën, të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kishin dhe kanë ende sot uri për bukë. Të varfërit ishin edhe miliona të përjashtuarit, të braktisurit, njerëzit pa familje, që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; Ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.

R.SH. – Vatikan

Sot më 26 gusht kujtojmë :Shenjtën Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiun, në 110-vjetorin e lindjes, ikonën shqiptare të dashurisë së Zotit, këtë shërbëtore të madhe të të varfërve, të Kishës, të shqiptarëve e të njerëzimit mbarë, që e shndërroi botën e mjerimit me shërbimin e pakursyer e me buzëqeshjen e saj, dhe e lusim të ndërmjetësojë pranë Zotit për paqen e njerëzimit mbarë dhe për popullin e saj shqiptar.

Shenjta Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe nën pushtimin osman, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u shpall e Lume në Vatikan nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, u shpall Shenjte në Vatikan nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Nënë Tereza e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit”.

E gjithë jeta dhe vepra e Shën Nënë Terezës është një dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria ndaj madhështisë e dinjitetit të çdo njeriu, ndaj vlerësimit të gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, ndaj vlerës së pakrahasueshme të miqësisë personale e të thellë me Zotin Jezus, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, meditimit të Fjalës së Zotit, adhurimit të të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, të Jezu Krishtit të Kryqëzuar. Këtu Nënë Tereza gjente ushqimin e saj shpirtëror dhe fuqinë për të kundruar njeriun, posaçërisht të varfrin e të nëpërkëmburin, në dritën e dashurisë së Hyjit.

Jeta e saj është vërtetë dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur ofruar skamnorëve. Për Nёnё Terezёn, të varfërit nuk ishin vetëm miliona njerëzit, që kishin dhe kanë ende sot uri për bukë. Të varfërit ishin edhe miliona të përjashtuarit, të braktisurit, njerëzit pa familje, që kanë etje për dashuri, dinjitet, paqe, drejtësi e shpresë; Ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.

E sot, mënyra më e mirë për të kremtuar e uruar 110-vjetorin e Lindjes së Nënës sonë të dashur, Ganxhe Bojaxhiu, është të vazhdojmë ta ndjekim dhe imitojmë shembullin e saj, të jemi gjithkund mjete të dashurisë së Zotit.